“Shkollat duhet t’u mësojnë nxënësve të jenë qytetarë të një shoqërie të fortë, të aftë, të pavarur dhe të lirë.”
Këto janë arsyet kryesore pse universitetet dhe shkollat e të gjitha niveleve duhet të përdorin përjashtimisht Software të Lirë.
Shkollat duhet t’u mësojnë nxënësve vlerën e ndarjes me të tjerët, duke u bërë shembull. Software-i i lirë e përkrah arsimin duke lejuar ndarjen me të tjerët të dijes dhe të mjeteve:
Përdorimi i kompjuterit është bërë pjesë thelbësore e jetës së përditshme. Teknologjia dixhitale po e transformon shoqërinë shumë shpejt dhe shkollat kanë ndikim në të ardhmen e shoqërisë. Misioni i tyre është t’i përgatisin nxënësit për të marrë pjesë në një shoqëri të lirë dixhitale, duke u mësuar aftësitë që do t’ua bëjnë të lehtë marrjen e kontrollit mbi jetën e tyre. Software-i s’duhet të jetë nën pushtetin e një zhvilluesi software-i, i cili merr vendime në mënyrë të njëanshme, që s’mundet t’i ndryshojë kush. Institucionet arsimore s’duhet të lejojnë shoqëri software-i pronësor të imponojnë pushtetin e tyre mbi pjesën tjetër të shoqërisë dhe të së ardhmes së saj.
Shkollat kanë një përgjegjësi etike për t’u mësuar nxënësve forcë, jo varësi nga një produkt i vetëm apo nga një shoqërie e caktuar e fuqishme. Më tej, duke zgjedhur të përdoret Software i Lirë, vetë shkolla fiton pavarësi nga çfarëdo interesash komerciale dhe shmang kyçje në një platformë të një tregtuesi të caktuar.
Kur vendosin se ku të studiojnë, gjithnjë e më shumë studentë e marrin parasysh faktin nëse një universitet jep mësim informatikë dhe zhvillim software-u duke përdorur Software-in e Lirë. Software-i lirë do të thotë se studentët janë të lirë ta studiojnë se si funksionon programi dhe të mësojnë se si ta përshtatin për nevojat e tyre. Nxënia e Software-it të Lirë ndihmon gjithashtu në studimin e etikës dhe praktikës profesionale në zhvillimin e software-it.
Kjo është një përparësi e vetëkuptueshme, ndaj do të tërheqë menjëherë shumë nga administratorët e shkollave, por është një përfitim i dorës së dytë. Ideja kryesore e këtij aspekti është se duke qenë të autorizuar të shpërndajnë kopje të programeve, me pak ose aspak kosto, shkollat mund të ndihmojnë faktikisht familje që kanë probleme financiare, duke inkurajuar kështu mes nxënësve drejtësi dhe mundësi të barabarta në nxënie.
Për edukimin ka tashmë të gatshme zgjidhje të qëndrueshme, të sigurta dhe të instalueshme kollaj të Software-it të Lirë. Sido që të jetë, përsosmëria në funksionim është një përfitim dytësor; synimi përfundimtar është liria për përdoruesit e kompjuterave.
Shihni edhe: